image Mustafa vizitoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Kontributi i tyre është i pamohueshëm

Politikë

Mustafa vizitoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Kontributi i tyre është i pamohueshëm

news image

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se në fillim të kësaj jave ka qëndruar në Hagë ku edhe ka realizuar një vizitë tek ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, njoftoi se e kishte gëzuar fakti që ish-luftëtarët ishin mirë, të bindur në pafajësinë e tyre.

“Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën”, ka shkruar ish-kreu i LDK-së.

Më tutje, ai thotë se pavarësisht dallimeve partiake e politike, është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbojtjen e vendit.

“Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia!”, përfundoi Mustafa.

/GazetaSinjali/