image Mustafa: U krijua sinergji për mos t’ia lënë Prishtinën VV-së

Politikë

Mustafa: U krijua sinergji për mos t’ia lënë Prishtinën VV-së

news image

Prishtina ishte ndër komunat që përmbysi rezultatin në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama mori 15 mijë vota më shumë se më 17 tetor dhe la mbrapa kandidatin e Lëvizjes, ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’u konfirmuar si kryetar i ri i kryeqytetit.

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se në këto zgjedhje u krijua një sinergji, jo vetëm e LDK-së, por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes.

Mustafa thotë se sinergjia nuk ishte vetëm si rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së në Prishtinë, por edhe i frikës nga Vetëvendosje për instalim të një pushteti, siç thotë ai, arbitrar në nivel qendror dhe lokal.

“Sivjet u krijua një sinergji jo vetëm e LDK-së por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes. Kjo sinergji, vlerësoj se nuk ishte vetëm rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së me Prishtinën për rreth një mandat e gjysmë por edhe i frikës nga VV-ja. Frikë kjo e instalimit të një pushteti arbitrar në nivel qendror dhe lokal, duke e pasur parasysh se aktualisht VV ka krejt pushtetin: Qeverinë, Parlamentin dhe Presidenten. Tani po tenton ta marr edhe shtyllën e drejtësisë përmes një Vetingu të kundërshtuar nga BE”, tha Mustafa.

Prishtina, sipas Mustafës, është qeverisur më së miri në kohën e LDK-së. Ai përmend edhe faktin që në zgjedhjet e kaluara Arban Abrashi nuk u bë kryetar për 300 vota.

Mustafa shprehet se komunat e fituara nga LDK, por edhe nga partitë e tjera opozitare paraqesin fitore të madhe për demokracinë e vendit.

Gjilani dhe Podujeva ishin në garë të ngushtë me kundërkandidatët nga Vetëvendosje, por që në fund LDK humbi dy këto qytetet. Në Gjilan dhe në Podujevë kryetarët do të jenë nga subjekti i Kurtit.

Sa i përket humbjes së Gjilanit nga LDK që në krye të saj ishte Lutfi Haziri, Mustafa tha se këtë herë nuk u vlerësua puna e ish-kryetarit Haziri, por dëshira për ndryshime.

“Gjilani dhe Podujeva është dashur të fitohen nga LDK. Z. Haziri ka bërë një punë të mrekullueshme në Gjilan, por kësaj radhe nuk u vlerësua puna por dëshira për ndryshime”, theksoi Mustafa për KP.

E në Podujevë sipas Mustafës zbriti i gjithë arsenali i Qeverisë. Ai thekson se kryeministri theu heshtjen zgjedhore e që përmes kësaj VV fitoi edhe vota. Për të gjithë këtë, sipas Mustafës, do të duhet të anulohej votimi atje.

Zgjedhjet lokale e nxorën Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) fituese në Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Junik, Fushë Kosovë e Dragash. Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, rezultatin e këtyre zgjedhje e ka quajtur arritje të madhe. Përpos 8 komunave, LDK arriti të marrë edhe mbi 170 mijë vota për asamble./GazetaSinjali/