image Mustafa sqaron planin për rikonfigurimin e qeverisë: Disa ministra s'po koordinohen me Hotin

Politikë

Mustafa sqaron planin për rikonfigurimin e qeverisë: Disa ministra s’po koordinohen me Hotin

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pasur vërejtje për numrin e madh të zëvendësministrave në qeveri, ndërsa ka theksuar se disa nga ministrat nuk po koordinohen me kryeministrin për vendimet që po i marrin.

Këto vërejtje Mustafa ka thënë se i ka diskutuar dje në takimin me kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn.

Mustafa, ka folur për rikonfigurim të qeverisë, duke dhënë kritika edhe për shpenzim pa meritë të parasë publike. Sipas LDK-së, duhet një qeveri që do ta luftojë korrupsionin e do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike.

Por Mustafa ka thënë se kjo nuk iu adresohet specifikisht dy ministrave të AAK-së, ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit dhe ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinajt. Megjithatë, thotë se nuk është i kënaqur me numrin e madh të zëvendësministrave.

“Nuk iu adresohet dy ministrave të AAK-së, sepse nuk e bëj unë vlerësimin e aktivitetit të tyre. Por, ka të bëjë më vlerësimin e çdonjërit se a punon për të arsyetuar paranë publike dhe specifikisht numrit të madh të zëvendësministrave”, deklaroi Mustafa për Express.

Në takimin e djeshëm, sipas tij, janë dakorduar që të takohen kohë pas kohe që të bisedojnë edhe çështjet tjera ku ka mospajtime.

“E kemi hapur këtë temë, jemi marrë vesh që të takohemi kohë pas kohe dhe t’i bisedojmë këto dhe çështjet e tjera”, thotë ai.

Mustafa ka kritika edhe për disa ministra të cilët nuk i përmend me emra. Sipas tij, disa ministra të Qeverisë Hoti nuk janë duke u koordinuar me të për veprimet që po i ndërmarrin.

“Do ta diskutojmë edhe performancën e ministrave dhe koordinimin apo jo të disa prej tyre me kryeministrin, të disa veprimeve që po i ndërmarrin. Për të qenë e suksesshme, qeveria duhet të jetë një, unike”, ka përfunduar ai. /Gazeta Sinjali