image Mustafa: Sot nuk festojmë dot, por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare

Përvjetori/ Mustafa: Sot nuk festojmë dot, por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare

news image

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ky përvjetor nuk festohet dot për shkak të jetëve të humbura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës e Thumanë.

“Përvjetori i 107-të i shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë e gjen tërë popullin shqiptar plot dhimbje. Tërmeti që goditi shtetin shqiptar këto ditë rezultoi me humbjen e jetës së shumë shqiptarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve, pos dëmeve të mëdha materiale.

Sot nuk festojmë dot por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare të pashtershme për t’i dalë zot vetes e njëri-tjetrit dhe të tejkalojmë çdo vështirësi që të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë. Uroj që të gjithë familjarët e atyre që humbën jetën të gjejnë ngushëllim, të lënduarit të gjejnë shërim dhe i tërë populli shqiptar të gjejmë sadopak qetësi shpirtërore këto ditë trishtuese. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar!”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Gazeta Sinjali/

Komunikata e plotë e LDK-së:

Zoti e bekoftë Shqipërinë!     
“Përvjetori i 107-të i shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë e gjen tërë popullin shqiptar plot dhimbje. Tërmeti që goditi shtetin shqiptar këto ditë rezultoi me humbjen e jetës së shumë shqiptarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve, pos dëmeve të mëdha materiale.

Këto 107 vjet dhe mijëra vjet të mëparshme kemi ndarë të njëjtën histori, gëzim, dhimbje, lumturi, tragjedi. Shteti i Kosovës dhe çdo qytetar i saj është mobilizuar me të gjitha forcat që kemi, të përkrahim shtetin dhe popullin e Shqipërisë. Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e tronditur nga tërmeti tragjik që ndodhi në Durrës dhe Thimanë, bashkëndjejmë dhe ndajmë dhimbjen me të afërmit e atyre që humbën jetën dhe me ata që janë lënduar.

Këto janë momente që testojnë dhe vërtetojnë fuqinë shpirtërore të çdo populli. Shqiptarët, anekënd botës, jemi më afër njëri-tjetrit se asnjëherë më parë. Në këtë ditë, që shënon kulmin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shkëndijën e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesës së të gjithë shqiptarëve në Ballkan për mëvetësi, ne shpërfaqim edhe një herë forcën tonë për të ngushëlluar njëri-tjetrin, për t’u lutur për njëri-tjetrin dhe për të përkrahur njëri-tjetrin drejt rimëkëmbjes.

Sot nuk festojmë dot por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare të pashtershme për t’i dalë zot vetes e njëri-tjetrit dhe të tejkalojmë çdo vështirësi që të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë. Uroj që të gjithë familjarët e atyre që humbën jetën të gjejnë ngushëllim, të lënduarit të gjejnë shërim dhe i tërë populli shqiptar të gjejmë sadopak qetësi shpirtërore këto ditë trishtuese.           

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar!”