image Mustafa: S’ia shoh për të madhe Kurtit deklaratën e sotme, besimtarët e tij të pajtohen me mashtrimin

Politikë

Mustafa: S’ia shoh për të madhe Kurtit deklaratën e sotme, besimtarët e tij të pajtohen me mashtrimin

news image

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk ia sheh për të madhe deklaratën e  sotme të Kurtit lidhur me çështjen e referendumit për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë. Ai thotë se “besimtarëve të Kurtit iu mbetet që të pajtohen me mashtrimin dhe të ngushëllohen me iluzionet e tyre”.

Mustafa ka përmendur edhe punën e 8200 hektarëve me Malin e Zi, duke shtuar se ata që i kanë mashtruar qytetarët me një kauzë të tillë “të rrejshme”, sot janë “president, kryeministër, deputetë, kryetar komune”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një intervistë me zë për revistën online “Monocle” ka thënë se do të votonte pro nëse do të prezantohej një referendum demokratik për bashkim me Shqipërinë.

“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti kur është pyetur se si do të votonte në një referendum për bashkim me Shqipërinë.

Mustafa thotë se ‘nuk është problem ndryshimi i tij [Kurtit] për bashkimin kombëtar, por problemi qëndron te ata që i kanë besuar’.

 “Z. Kurti po përshtatet me realitetin. Nuk është problem i tij ndryshimi i qëndrimit për bashkimin kombëtar, me transformimin e rolit nga prijësi në atë të votuesit, por problemi qëndron te ata që i kanë besuar. Ashtu siç nuk qëndron problemi te ata që krijuan kauzën e rrejshme për humbjen e 8.200 hektarëve me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe i lanë qytetarët pa liberalizim të vizave e të ngujuar në geto, por te ata që në mënyrë të verbër i besonin kësaj kauze.

Dhe çfarë po ndodhë sot? Erdhën në pushtet të gjithë ata që krijuan këto kauza dhe nuk e bënë as më të voglin hap për to. Pse? Sepse ishin të rrejshme. Sot sillen sikur të mos kanë ekzistuar. Qytetarët mbetën të izoluar ndërkaq ka ende trularë që besojnë në 8.200 hektarë, e ata që i kanë mashtruar janë graduar me pozita të larta: President, Kryeministër, deputetë, kryetar komune”, shtoi Mustafa për express.

“Prandaj nuk ia shoh për të madhe z. Kurti as deklaratën e sotme, sepse ai ka ditur ti manipulojë masat; që ka qenë qëllim i tij për të ardhur në pushtet. Ai nuk ka qenë aq i pamend që mos ta di se çfarë mundet e çfarë jo kur të vijë në pushtet. Besimtarëve të tij iu mbete të ngushëllohen me iluzionet e tyre dhe të pajtohen me mashtrimin”, deklaroi ish-kryetari i LDK-së.

/GazetaSinjali/