Është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovëës.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa e kumtuan nënshkrimin e marrëveshjes përmes një konference të përbashkët për media.
Kreu i LDK-së tha se marrëveshja e arritur është në dobi dhe interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ne kemi arritur marrëveshje. E vlerësojmë që është një marrëveshje e mirë që është në dobi të Kosovës. Është në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë. Marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe i një bashkëpunimi mjaft të gjatë me zotin Kurti por edhe me partinë e tij.. Ajo që dëshirojmë në të ardhmen është që qeveria të jetë e suksesshme dhe t’i realizojë pritjet e qytetarëve”, tha Mustafa.
Paraprakisht, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha se marrëveshja është nënshkruar me dakordim për programin dhe ndarjen e pozitave.
“Ne sot u takuam me kryetarin e LDK-së, profesor Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër në seancë por për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë institucionalisht ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, përveçse për programin, edhe për ndarjen e pozitave”, tha Kurti.
Marrëveshja në mes LVV-së dhe LDK-së u arrit dje, ndërkaq sot në një takim të orës 08:30 u finalizua dhe u nënshkrua. /Gazeta Sinjali/