Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa tha se nuk ndikohet nga sondazhet që po publikohen nga mediat.
“Shifrat nuk janë të këqija në terren, janë të mira, përkundër komponentës negative. Jam shumë entuziast, kam besim të plotë që ne të dalim në favor të këto zgjedhje. Në këto zgjedhje nuk hyjmë që të dalim as të dytë as të tretë, e as në presionin e sondazheve që zhvillohen nëpër redaksi e studio”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka thënë se partia e tij akuzohet për kapje të shtetit, por që sipas tij, nga viti 2014, kur Kosova është qeverisur nga LDK-ja, nuk ka pasur persona të korruptuar në institucione shtetërore.
“Ne i dimë edhe gabimet tona, por ne e dimë po ashtu që gjithë ditën do akuzohet LDK-ja, kinse LDK-ja e ka kapur sistemin. Që prej 2014-ës e deri më tani, asnjëherë nuk ka pasur persona të korruptuar në institucione”, ka shtuar tutje kreu i LDK-së./Gazeta Sinjali/