Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kërkon nga subjektet politike bashkëpunim për gjetjen e një zgjidhje për postin e presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë.
Sipas tij, posti i presidentit nuk duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje.
“Nuk mund të them që s’kemi diskutuar. Kemi diskutuar edhe para shkuarjes në Hagë të presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Veseli. Kemi bërë përpjekje që të gjejmë një zgjidhje e cila kishte me qenë zgjidhje me një përfshirje të gjerë të komunikimit dhe diskutimit lidhur me pozitën e ardhshme të presidentit në mënyrë që të mos jetë shkas i shkuarjes në zgjedhje të reja”, tha Mustafa në RTV21, transmeton Gazeta Sinjali.
Mustafa thotë se nuk kanë diskutuar drejtpërsëdrejti për këtë çështje, pasi që thotë se Partisë Demokratike të Kosovës i nevojitet kohë për konsolidim, pas shkuarjes së kreut të saj, Kadri Veselit, në Hagë.
“Ne kemi komunikuar por nuk jemi ulur të komunikojmë drejtpërsëdrejti, sepse kemi vlerësuar që edhe PDK-së i nevojitet një periudhë që të merret me çështje e tyre, sepse nuk është lehtë që kryetari të shkojë në Hagë dhe sigurisht atyre iu nevojitet kohë e konsolidimit”, tha ai.
Mustafa thotë se kanë vullnet që të diskutojnë edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
“Në moment ata që janë të gatshëm, por edhe Vetëvendosje, jemi të vullnetshëm që të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje. Me Vetëvendosjen nuk kemi diskutuar për këtë çështje sepse ata kanë qenë të prerë duke kërkuar vetëm zgjedhje”, theksoi Mustafa./Gazeta Sinjali/