image Mustafa pishman që emëroi Veliun ministër: Sot do ta kishim komunën e Podujevës të fituar

Politikë

Mustafa pishman që emëroi Veliun ministër: Sot do ta kishim komunën e Podujevës të fituar

news image

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk është dashtë ta tërhiqte Agim Veliun nga kryetari i Komunës së Podujevës për ta bërë ministër të Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti 1.

Sipas tij, nëse Veliu nuk do të tërhiqej nga udhëheqja e Podujevës, atëherë LDK-ja do ta fitonte edhe këtë komunë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Unë mund të them se ndoshta nuk është dashtë që ta bëjmë atë. Nuk është dashtë, sepse z. Veliu ka dhënë një kontribut të madh në Podujevë. I ka fituar zgjedhjet disa herë atje. Ka qenë nënkryetar i LDK-së. Është themelues i LDK-së. Tash ndaj z. Veliut për një periudhë të gjatë është zhvilluar një fushatë mjaft e egër ndaj tij siç është zhvilluar edhe ndaj meje, mirëpo unë konsideroj që po që se nuk do të tërhiqej z. Veliu nga atje, ne do ta kishim edhe sot Komunën e Podujevës të fituar”, ka thënë ai.

Tutje ai foli edhe për lidhshmërinë e shkarkimit të Veliut nga posti i ministrit me prishjen e koalicionit të atëhershëm qeverisës LVV-LDK.

Nuk po flas për koalicionin, sepse unë mendoj që vendimi për shkarkimin e Veliut nuk është dashur të ndodh… Sa i përket koalicionit, unë e kisha informuar zotin Kurti edhe përpara me një letër që në qoftë se ne s’arrijmë pajtim të përbashkët për heqjes së tarifës që e vuri Qeveria e zotit Haradinaj dhe moszbatimi i reciprocitetit për një periudhë të caktuar kohore, do të kemi problem për vazhdim të koalicionit më tutje. Problemi ishte me Qeverinë amerikane dhe kërkesa që shtrohej edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja për tarifat, në mënyrë që t’i jepet shansi procesit të dialogut“.

S’është diskutuar fare për Veliun. Por menjëherë ai mori vendim për shkarkim. Veliu ishte vetëm shkas, por problemi ishte për mospajtimet tona të brendshme për qasjen ndaj SHBA-së sepse haptas kërkohej që qeveria të heqë tarifat e t’i japë shans dialogut. Shkas pastaj u bë zoti Veliu sepse ndodhi që kryeministri Kurti ta shkarkojë një ministër tonin. Pa marrë parasysh a ishte apo jo nënkryetar s’mund ta bënte shkarkimin në bazë të marrëveshjes që kishim sepse në të përcaktohej që s’mund të shkarkohej asnjë anëtar i qeverisë pa mirëkuptim të të dyja palëve“, ka deklaruar Mustafa në KTV.

Kujtojmë që, në zgjedhjet për kryetar komune, për Podujevën, nga radhët e LDK-së garoi Ekrem Hyseni i cili u mund në balotazh nga kandidati i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.

/GazetaSinjali/