Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konsideron se qëndrimi kundër i Vjosa Osmanit ndaj mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, është mosrespekt për LDK-në.
“Po e them se vetë fakti që ka dalë kundër mocionit për të cilën ka qenë shumica formuese e LDK-së, është mosrespekt ndaj LDK-së dhe organizatës së vet”, tha Mustafa në një intervistë për RTV21, transmeton Gazeta Sinjali.
Mustafa tha për Osmanin se vota “nuk të jep fuqi të mos e respektosh partinë tënde”.
Ai shtoi se nuk dëshiron të hyjë në qëndrimet e saj ‘sepse janë të saja’.
Mirëpo, Mustafa tha se këto ‘janë çështje që do t’i diskutojmë edhe brenda’, ndërsa sa i përket numrit të madh të votave që Osmani mori në zgjedhjet e kaluara, Mustafa u shpreh se “votat që i ka marrë votat janë të LDK-së”.
“Ato 170 mijë janë vota të LDK-së, që janë marrë nga njerëzit që kanë përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Mustafa, transmeton Gazeta Sinjali.
Më tej, Mustafa u pyet se në rast se organizohen zgjedhjet e reja pas pandemisë, a do të përfshihet Osmani në listën zgjedhore.
Në këtë pyetje, i pari i LDK-së tha se LDK nuk merret fare me Osmanin sepse kanë ‘çështje më të rëndësishme’. /Gazeta Sinjali/