Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se presidentja e vendit, ish-bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani, po sillet sikur të jetë pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa ka thënë se po të kishte qenë në krye të LDK-së kur u mbajt seanca për zgjedhjen e presidentit, nuk do t’ia bënte kuorumin Osmanit për t’u zgjedhur kryetare e vendit.
Ai ka kritikuar partinë që dikur e udhëhiqte se s’po bën opozitarizëm siç bëhej në të kaluarën. Sipas tij, shumica ia ka “marrë anën” opozitës, e cila thotë se duhet të jetë e bashkuar për t’i shtruar disa çështje në Kuvend.
“S’kam dashur të jem pjesë e vendimmarrjes sepse po të vazhdoja të isha kryetar, edhe këtu do të kisha qëndrim tjetër”, ka thënë ai për vendimin që LDK-ja mori që t’ia bënte kuorumin Osmanit për t’u bërë presidente. “Një frikë ka qenë atë kohë që s’mund ta përballojmë edhe njëherë të futemi në zgjedhje sepse po të mos zgjidhej, do të futeshim edhe një herë në zgjedhje”, tha Mustafa në KTV.
Ai madje hodhi akuza ndaj Osmanit, duke thënë se ajo, ndonëse është presidente, po sillet si të ishte pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nëse është dhënë vota me kusht që të sillet si faktor unifikuese, do ta arsyetoja, por këtë s’po e shoh. Nuk e shoh një sjellje të tillë. Kam përshtypjen që ajo sillet si pjesë e Vetëvendosjes. Të gjitha vendimet që i merr Qeveria pa asnjë vërejtje i çon përpara. Gjatë fushatës edhe Kurti edhe Osmani ishin zotuar se bashkërisht do të çojnë përpara dialogun në Bruksel. Më pas doli që e bën vetëm Qeveria”, është shprehur ai./GazetaSinjali/