image Mustafa: Nuk shohë asgjë të keqe që presidenti të mbajë takime në SHBA, kisha dashur ta shohë edhe kryeministrin

Kosovë

Deklaratë/ Mustafa: Nuk shohë asgjë të keqe që presidenti të mbajë takime në SHBA, kisha dashur ta shohë edhe kryeministrin

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për takimin në mes të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq në Washington.

Mustafa ka thënë se nuk sheh asgjë të gabuar që presidenti i vendit të zhvillojë takime me nivele të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që sipas tij Kosovës i duhen këso lloj takime.

“Unë e përshëndes angazhimin e SHBA-së, angazhimin e fuqishëm sepse vetëm SHBA-të mund të na ndihmojnë që ne ta mbyllim këtë temë dhe nuk shohë asgjë të keqe që presidenti ynë të takohet me nivele më të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse neve na nevojiten takime të tilla, mirëpo kisha dashur që ta shohë edhe kryeministrin tonë që është prezent atje dhe që e merr rolin e vetë, jo vetëm në procesin e dialogut por edhe në komunikim me institucionet e ndryshme në nivele të ndryshme në SHBA”, ka thënë fillimisht ai në emisionin Argument të RTV21.

I pari i LDK-së më tej ka thënë se nuk ka informata që është arritur ndonjë marrëveshje atje, por që e di se Shtëpia e Bardhë është zotuar që t’i bind dy palët për të vazhduar dialogun.

“Nuk kam informata se ka pasë ndonjë marrëveshje atje, kam informata se ka pasë zotim ashtu siç ka dalë të Shtëpisë së Bardhë, se ata do të vazhdojnë fuqishëm që t’i bindin dy palët në një tavolinë në mënyrë që të ecë procesi i dialogut”, ka thënë Mustafa.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi më 2 mars ka zhvilluar takim në Washington me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi kishte ndodhur me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien./Gazeta Sinjali/