image Mustafa: Nëse s'merremi vesh tash për presidentin, shkojmë në zgjedhje brenda një viti

Kosovë

Qeveria/ Mustafa: Nëse s’merremi vesh tash për presidentin, shkojmë në zgjedhje brenda një viti

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për media pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

Mustafa tha se me LVV-në duhet të merren vesh qysh tash për emrin e kandidatit për president që do të propozohet kur të vijë koha. Në të kundërtën, sipas Mustafës, do të ketë zgjedhje të reja brenda një viti, shkruan Gazeta Sinjali.

“Unë po shoh se po bëhet shumë zhurmë në media për punën e presidentit. Nuk e kemi në rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ne konsiderojmë që të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe duhet të diskutohen mes partnerëve, sigurisht edhe çështja e presidentit. Në asnjë rast nuk jam shpreh që unë duhet të jem president, për të do të vendosë partia të cilës i takon që ajo ta propozojë presidentin. Ai propozim do të bëhet kur të shpallen zgjedhjet për president. Tash duhet të merremi vesh se cila parti do ta propozojë emrin, që ta kapërcejmë edhe këtë. Nëse kjo nuk bëhet është një bindje e jona se brenda një viti do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha Mustafa.

Mustafa ka shprehur dyshimin se një mosdakordim ndërmjet LDK-së dhe LVV-së kur Hashim Thaçit t’i përfundojë mandati i presidentit, do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që nëse dështon të zgjidhet presidenti, sipas kushtetutës, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Tani do të merremi vesh kujt i takon të propozojë kandidatin për president të ardhshëm, ai kandidat do të propozohet kur të vjen koha”, ka shtuar ai.

Mustafa tha se në mbledhjen e sotme të LDK-së u informuan me rrjedhën e negociatave me LVV-në për harmonizimin e programeve.

“Konsideroj se është arritur mjaft shumë në këtë pjesë, janë arritur pajtime të një niveli të kënaqshëm”, theksoi Mustafa.

Deri tani, nga LVV dhe LDK janë deklaruar se kanë mospajtime të vogla, ndërkaq çështja më e përmendur për të cilën janë dakorduar partitë është fuzionimi i ministrive, që do t’i reduktonte ato nga 21 sa ishin, në 12 sosh. /Gazeta Sinjali/