Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar për atë që po ndodh prej disa ditësh në Shqipëri, ku ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mbahet në arrest shtëpiak për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Mustafa ka përmendur edhe krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë, duke shtruar pyetjen nëse po bëhet “drejtësi shtetërore” apo “turp kombëtar”.
Ish-kryeministri tutje ka thënë se është e vështirë të krenohesh kur në Kosovë e Shqipëri luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë vitin e ri në burg.
Sipas Mustafës populli po vuan nga një “arrest mendor e intelektual” i cili e meriton pak lirinë që gëzohet.
“Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar? Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndrrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit! Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë!”, ka shkruar Mustafa.