image Mustafa: LDK është për zgjidhje vetëm në harmoni të plotë me Kushtetutën

Kosovë

Mustafa: LDK është për zgjidhje vetëm në harmoni të plotë me Kushtetutën

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa sot ka zhvilluar një takim konsultativ me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Në lidhje me atë se çfarë është diskutuar në këtë takim, lideri i LDK-së është deklaruar për Gazetën Sinjali.

Mustafa ka deklaruar se LDK është për zgjidhje vetëm në harmoni të plotë me Kushtetutën.

“Si LDK, shpreha mendimin tonë se për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe në përgjithësi i gjithë globi, në këtë fazë, si alternativa më e mirë për vendin do të ishte krijimi i një qeverie të re, por gjithsesi që kjo të bëhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë fillimisht ai për Gazetën Sinjali.

Më tej, Mustafa ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të inicojë procedurat ligjore dhe kushtetuese që do të garantonin formimin e një qeverie me shumicë të nevojshme nga Kuvendi aktual.

Teksa për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Mustafa ka deklaruar se për shkak të pandemisë së koronavirusit ato nuk mund të mbahen as tani, e as në një të ardhme të afërt.

“Lidhur me mundesinë e zgjedhjeve të reja, Presidentit i shprehem vleresimin e LDK-së për shkak të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19, nuk mund të ketë kushte për zgjedhje të reja. as tani e as në një të ardhme të afërt. Por, edhe sikur të organizoheshin këto zgjedhje, asnjë parti nuk do të mund ta fitonte shumicën për ta bërë vetë Qeverinë, prandaj sërish do të ktheheshim në të njëjtën situatë”, ka thënë lideri i LDK-së.

Mustafa gjithashtu ka thënë se ai së bashku me LDK-në do të angazhohen që të bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë dhe në harmoni të plotë me Kushtetutën, me qëllim që vendi mos të pësojë nga mungesa e një qeverie me legjitimitet të plotë.

“Deri në krijimin e një Qeverie të re, LDK dhe ministrat tanë mbesin
të përkushtuar për të dhënë maksimumin në shërbim të qytetarëve në këtë kohë të pandemisë”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime konsultative me liderët e partive politike pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Tema e këtyre takimeve ishte situata e krijuar pas mocionit si dhe alternativat e mundshme për ta krijuar një Qeveri në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./Gazeta Sinjali/