image Mustafa: Kurtin e rrëzuam, sepse u frikësuam që SHBA do të tërhiqte trupat nga Kosova - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

56.412

Të shëruar

49.713

Të vdekur

1.420

Mustafa: Kurtin e rrëzuam, sepse u frikësuam që SHBA do të tërhiqte trupat nga Kosova

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se arsyeja se pse partia e tij inicioi mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ishte frika se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin masa ndaj Kosovës, për shkak të ish-kryeministrit, Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Mustafa tha se Kosova ka pranuar kërcënime se SHBA do të marrë masa ndaj Kosovës, nëse nuk e largon taksën për produktet serbe.

“Ka pasur kërcënime nga SHBA se do ndërmarrin masa ndaj Kosovës, nëse nuk heqim taksën për produktet serbe”, tha Mustafa.

Madje, sipas tij, subjekti i tij politik është frikësuar se shteti më i fuqishëm në botë do të tërheq trupat ushtarake nga Kosova.

I pyetur përse u bazuan këto vendime te lajme false për largimin e trupave amerikane, Mustafa tha se “është e vështirë që të them se çfarë është e vërtetë në atë proces”.

“Por disa senatorë e kanë thënë publikisht këtë gjë. Ata pa paralajmërim paraprak kanë vepruar në Irak me tërheqjen e trupave dhe ne jemi frikësuar. Askush nga Shtëpia e Bardhë nuk i ka përgënjeshtruar këto komente. Richard Grenell nuk e ka thënë në mënyrë eksplicite këtë, por ka përcjellë deklaratat e bëra zyrtarët e lartë amerikanë. Ne jemi frikësuar se nëse do të tërhiqen trupat, ne do rrezikojmë stabilitetin dhe pavarësinë”, tha Mustafa në Syri.net.

“Në programin tonë, miqësia me SHBA është synim themelor i LDK-së. Unë pasi e kam paralajmëruar zotin Kurti, ai në mënyrë të njëanshme ka shkarkuar zotin Veliu nga pozita e ministrit. Unë i kam thënë që kjo nuk është mënyrë e bashkëpunimit tonë. Në marrëveshjen tonë kemi rënë dakord që nuk mund të shkarkohet asnjë ministër pa konsensus. Unë sugjerova që ministrat të mos i tërheqim për shkak të pandemisë,” tha ai./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin