Rregullorja e re e BQK-së që ndalon dinarin dhe vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti për të mos e shtyrë implementimin e një rregulloreje të tillë ka dëmtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, duke folur për këtë çështje dhe për mos dëgjueshmërinë e Kurtit karshi kërkesave të Uashingtonit zyrtar, ka thënë se nëse Kurti nuk e sheh Amerikan si aleat, njëjtë s’do ta shoh as SHBA-ja atë. Ndërkohë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një konferencë për media, ka nënvizuar se sa e rëndë është situata në raportet Kosovë-SHBA dhe ka thënë se ata që thonë se raportet me SHBA-në s’janë prishur edhe pas intervistës së O’Brien po gënjejnë meqë çështja e dinarit ka dëmtuar aleancën mes SHBA-së dhe Kosovës.
Lidhur me këtë situatë ka folur ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se vendosja në krizë e raporteve me SHBA-në por edhe me Brukselin për një shtet të ri si Kosova është mjaftë një sfidë e madhe.
Ish-kryetari i LDK-së ka thënë se sa kishte qenë në krye të partisë kishte vendosur për ta prishur marrëveshjen me VV-në dhe për ta rrëzuar Kurtin nga Qeveria për shkak të mospajtimit me politikën kundërshtuese ndaj aleatit strategjik të Kosovës.
Mustafa ka thënë se me këtë veprim kishte rrezikuar partinë, duke bërë kështu që LDK-ja të paguaj çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Megjithatë ish-kryeministri Mustafa thotë se atëherë ka qenë situata ndryshe, meqë ishte vetëm Administrata e SHBA-së që kishte mospajtime me Kurtin, ndërkohë që përfaqësuesit amerikan, britanik gjerman e francez në Kosovë ishin në përkrahje të Albin Kurtit.
“Vënia në krizë e raporteve me SHBA-të por edhe me BE-në është sfidë e madhe për Kosovën si shtet i ri dhe akoma i papërfunduar në OKB dhe i panjohur nga 5 vende të BE-së. Sa isha kryetar i LDK-së e prisha koalicionin me VV-në dhe e rrëzova Qeverinë Kurti, sepse nuk pajtohesha me politikën kundërshtuese ndaj SHBA-së, si partnere strategjike e Kosovës. Rrezikova LDK-në, e cila pagoi çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Por atëherë ishte pak më ndryshe, sepse përderisa administrata amerikane shprehte mospajtime me Qeverinë Kurti ( ku ishte edhe LDK), përfaqësuesit amerikan, gjerman, francez e britanez në Kosovë ishin me Kurtin dhe për Kurtin”, ka thënë Mustafa.
Ish-kreu i LDK-së ka thënë se kanë qenë të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO dhe se Kosova s’mund ta arrijë NATO-n pa Amerikën. Mustafa thotë se pa SHBA s’ka as njohje ndërkombëtare, as anëtarësim në OKB dhe organizata të tjera dhe thekson se njëjtë mendon edhe tani.
“Në LDK ishim të bindur se s’ka siguri të Kosovës pa NATO-n dhe s’ka NATO në Kosovë pa SHBA-të; S’ka njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në OKB, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare pa partneritet me SHBA-të. Ashtu mendoj edhe tani”, ka potencuar Mustafa për Express.
Por ai thotë se tashmë situata është edhe më e rëndë, sepse Qeveria Kurti po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, gjermanët, francezët e britanikët, që ish-kryetari i LDK-së thotë se “t’i nxirrnin sytë për VV-në”
“Situata aktualisht është edhe më e rëndë, sepse Qeveria po kritikohet nga demokratët e SHBA-së, nga gjermanët, francezët e britanezët që t’i nxirrnin sytë për VV-në”, shprehet Mustafa.
Isa Mustafa thotë se është e qartë që çdo fitore me populizëm dhe duke anashkaluar partnerët është humbje si për atë që fitojnë, njëjtë edhe për ata që abstenojnë. Prandaj Mustafa thotë se pa SHBA-në Kosova është vetëm një karikaturë dhe shton se duhet reflektim nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita e shoqëria civile për të rikthyer gjëra në binarë drejt konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
“Është shumë e qartë se çdo fitore me popullizëm duke nënçmuar dhe anashkaluar partnerët është humbje si për ata që fitojnë sikurse edhe për ata që abstenojnë. Pa SHBA, Kosova nuk është shtet; është vetëm një karikaturë. Prandaj lypset të reflektojnë Presidenca, Kuvendi, Qeveria, opozita, shoqëria civile për të rikthyer besimin e partnerëve dhe për të trasuar rrugën e konsolidimit të mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.