image Mustafa kujton Fadil Feratin në 10-vjetorin e vdekjes

Kosovë

Përvjetori/ Mustafa kujton Fadil Feratin në 10-vjetorin e vdekjes

news image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në 10-vjetorin e vdekjes kujtoi ish-nënkryetarin e partisë së tij dhe ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Fadil Feratin.

Duke e quajtur një nga veprimtarët më të shquar të LDK-së, Mustafa tha se personaliteti shumëdimensional i të ndjerit Ferati ngërthente në vete vlera humane, patriotike e emancipuese për shoqërinë dhe shtetin.

“Ai i shërbeu vendit, si kryetar Komune, si nënkryetar i LDK-së dhe si njeri me virtyte të larta morale e politike. Në të gjitha zgjedhjet ku ai garoi dëshmoi pjekuri dhe maturi prej intelektuali duke u treguar i afërt me qytetarët dhe problemet e tyre të përditshme, andaj edhe fitoret dhe popullariteti i tij nuk ishin të rastësishme”, thuhet në komunikatën e Mustafës.

Sipas kreut të LDK-së, ikja e hershme e Fadilit për në amshim ishte një zbrastirë e pazëvendësueshme për familjen, rrethin ku jetonte ndërsa LDK humbi njërin nga kolosët e saj.

“Duke kujtuar burra si Fadil Ferati, LDK mbetet e motivuar që të punojë edhe më shumë në lartësimin dhe realizimin e misionit të shtetndërtimit, në të cilin Fadili kishte dekada jete e pune që po kontribuonte. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Feratit! Kujtimi për të qoftë i përjetshëm!”, përfundoi Mustafa. /Gazeta Sinjali/