Ashtu sikurse pothuajse e gjitha bota, edhe Kosova është duke u përballur me koronavirusin e ri COVID-19, pandemi e cila ka rënduar edhe gjendjen në sektorin ekonomik, duke bërë që shumë biznese të mbyllin aktivitetin e tyre.
Vlerësimet e para të qeverisë janë se do të ketë rënie të zhvillimit ekonomik nga 4 në 2 për qind, por ekspertët e ekonomisë thonë se sipas të gjitha gjasave, rënia do të jetë shumë më e madhe.
Ata rekomandojnë koncentrimin e mjeteve aty ku ka nevojë më së shumti, e sidomos në industrinë ushqimore, në mënyrë që të shmanget një krizë e rëndë ekonomike.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, tha se Kosova do të ketë rënie të zhvillimit ekonomik shumë më shumë se sa ka vlerësuar qeveria.
Në një intervistë për KP, ai theksoi se duhet përgatitur për masa më të mëdha që kontribuojnë në krijimin e një sistemi për ringjalljen e disa prej aktiviteteve ekonomike.
Sa i përket pakos emergjente fiskale, Mustafa thotë se nevojiten analiza më të hollësishme në mënyrë që intervenimet të bëhen në ato pjesë ku mund të jepen rezultate më shpejt
“Një pjesë e madhe e aktiviteteve janë reduktuar në masë të dukshme. Vlerësimet e parë të qeverisë janë që do të ketë 200 milionë euro mungesë në buxhet dhe ulje të rritjes ekonomike nga 4 në 2 për qind. Unë mendoj se sipas të gjitha gjasave këto do të jenë shumë më të mëdha se sa ky vlerësim. Duhet të përgatitemi për të marrë masa sidomos në krijimin e një sistemi ku disa prej aktiviteteve ekonomike mund të ringjallen, veçanërisht industria ushqimore dhe ajo që mund të zëvendësonte importin është një fazë që aty duhet të insistojmë më së shumti me masa të caktuara. Pakoja e parë që ishte 170 milionë kryesisht është në drejtimin e duhur, por duhet të bëhen analiza më të hollësishme dhe duke marrë parasysh këtë fazë, duhet intervenimet të jenë në ato pjesë ku mund të jepen fryte më shpejt dhe në mënyrë më efektive”, tha Mustafa.
Pavarësisht frikës së krijuar te qytetarët se mund të ketë mungesa të artikujve ushqimorë gjatë pandemisë me COVID-19, njohësi i çështjeve ekonomike thotë se nuk do të ketë mungesa të tilla.
“Nuk besoj se do të ketë mungesë të artikujve ushqimorë. Mendoj se kjo do të rregullohet. Problem është zvogëlimi i aktivitetit ekonomik, rënia e punësimit dhe keqësimi i situatës sociale. Mund të ketë rritje të çmimeve aty këtu, por besoj se qeveria duhet të intervenojë me rezervat e veta dhe të mos lejojë ngritje të çmimeve”, tha Mustafa.
Ndryshe, Ministria e Financa ve ka aprovuar Planin Operacional për pakon fiskale emergjente, ku sipas këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin apo implementimin e kësaj pakoje./Gazeta Sinjali/