Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, po e dëshmon se ka guxim dhe vendosmëri ta luftojë krimin dhe korrupsionin, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa ka thënë se rruga e Hotit që të thirret në mekanizma kushtetues dhe ligjor për ta luftuar krimin dhe korrupsionin është rruga e vetme për një njeri të pastër, edhe nëse nuk i pëlqen dikujt.
“Kryeministri Hoti po e dëshmon se ka guxim dhe vendosmëri ta luftojë krimin dhe korrupsionin. Është i dijshëm dhe i pakorruptuar andaj edhe i pavarur dhe i pashantazhueshëm në marrjen e vendimeve të forta. Thirrja në mekanizma kushtetues dhe ligjorë për ta luftuar krimin, mund të mos i pëlqej dikujt, por jam i bindur se është e vetmja rrugë për një njeri të pastër, si kryeministri Hoti”, ka shkruar ai.
Ky postim i Mustafës ka ardhur pas reagimeve dhe akuzave të shumta që erdhën në drejtim të Hotit, madje edhe nga partneri qeverisës, AAK, për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion./Gazeta Sinjali/