Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 30-të të themelimit të partisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë përpjekjeve për një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Mustafa tha se janë të vetëdijshëm për dallimet politike dhe të kaluarën e LVV-së, por u shpreh optimist se si partner në qeveri, mund të kenë sukses sikurse në opozitë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Në përpjekje e tona për bashkëqeverisje jemi të vetëdijshëm për dallimet politike dhe në të kaluarën, por po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë për qeverisje ashtu siç gjetëm rrugë të bëjmë një opozitë të suksesshme”, tha Mustafa.
Ai tha se LDK-ja është e gatshme të bashkëqeverisë me LVV-në duke ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë.
“Qeveria jonë e LDK-së dhe qasja jonë bashkë me VV është të ndajmë përgjegjësitë në harmoni me votën të trajtohen gjitha përgjegjësitë dhe të bëjmë balancë të domosdoshëm të pushteteve”, tha ai.
Mustafa theksoi se LDK-ja në përpjekjet për koalicion nuk meriton presione nga askush, përfshirë edhe mediet.
“LDK është parti e parë pluraliste në Kosovë, ka traditë demokratike, më së paku meritojmë dhe kemi nevojë për presion politik dhe mediatik në procesin e marrëveshjes e sidomos nga ata që kanë qenë kundër LDK-së dhe që kanë mbrojtur portat e subjekteve tjera”, tha ai.
“Ne kemi dëshirë pa presion dhe pa fushatë kundër VV ta bëjmë një koalicion”, shtoi Mustafa.
Ai ka kërkuar që LVV-ja t’i lexojë qartë rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. /Gazeta Sinjali/