Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, duke folur për rritjen e buxhetit të Kosovës në vlerë prej tre miliardë euro, ka thënë se nuk mund të arrihet duke i rritur tatimet, taksën apo kontributet tjera që duhet t’i paguajnë qytetarët e Kosovës.
“Ne si LDK, mendoj se edhe Vetëvendosje, gjatë fushatës e kemi pasur synim buxhetin rreth 3 miliardë euro. Unë besoj se kjo mund të arrihet, por jo në mënyrë artificiale. Jo duke rritur tatimet apo kontributet tjera. Buxheti mund të rritet përmes zhvillimit ekonomik dhe uljes së evazionit fiskal, si dy rrugë të veçanta”, ka thënë Mustafa në rtv21.
Mustafa tutje ka theksuar se sektori privat në Kosovë ka nevojë për më shumë përkrahje, ndërsa ai publik për ringjallje.
“Sektorin privat duhet ta përkrahim më shumë, ndërsa atë publik ta ringjallim, në mënyrë që sektori publik të mos e dëmtojë paranë publike dhe zhvillimin ekonomik sepse në përmbajtje të konkurrencës është më i mbrojtur duke pasur parasysh se nuk ka konkurencë dhe nuk ofron ekonomi të shkallës së lartë”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/