image Mustafa: Bojkotimi i bashkërenditur i Osmanit dhe Kurtit nuk iu bëri punë

Politikë

Mustafa: Bojkotimi i bashkërenditur i Osmanit dhe Kurtit nuk iu bëri punë

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe ish-kryeministri Albin Kurti kanë bashkërenduar bojkotimin në raport me qeverinë e re të votuar dje në Kuvendin e Kosovës.

Mustafa ka thënë se Osmani i iku përgjegjësisë për ta drejtuar seancën e Kuvendit ku bashkëpartiaku i saj do të votohej për kryeministër, ndërsa Kurti bëri veprim të ulët me mosdorëzimin e detyrës së kryeministrit te Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë.
E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm.
Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve”, ka shkruar Mustafa.

Kreu i LDK-së ka thënë se veprimi i Kurtit për të mos marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit tregon se ai nuk ishte kryeministër.

“Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremoninë e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, ka shkruar Mustafa. /Gazeta Sinjali/