Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Beteja e Koshares 21 vjet më parë, shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës.
Ai ka theksuar se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës.
“Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të lavdishmet të UÇK-së, hapi një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të UÇK-së dhe fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri. Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë të ndërtuar mbi sakrificën për liri dhe shënoi përpjekjet për shtet-formimin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ai ka vlerësuar lart të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës, duke thënë se vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës sonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euroatlantike.
“Triumfi i këtyre luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kthesat vendimtare përmes angazhimit të tyre, ata në asnjë moment nuk iu ndanë refuzimit të shtypjes dhe përpjekjeve për liri”, është shprehur Mustafa. /Gazeta Sinjali/