Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar.
Sipas tij, nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe të shkëmbejnë territore. Prandaj thotë se është e padenjë që mosguximi për t’iu përveshur dialogut me Serbinë të arsyetohet me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë. Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojme me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Më tej, ai ka shtuar se duhet të besohet në SHBA-të dhe në BE dhe të besohet në Kosovën, sepse thotë se kjo është e vetmja qasje për dialogun.
“Popullizmi dhe lufta e shtrigave nuk na qon askund. Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundershtarë dhe armiqë. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet. Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufij; kështu thotë edhe Deklarata e Pavarësisë. Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu”, ka shkruar ai.
Në fund ai ka shtuar se duhet të dialogohet që, në kufijtë dhe territori aktual i Kosovës, të njihet nga Serbia, Kosova të anëtarësohet në OKB, të njihet edhe nga pesë vende të BE-së dhe të anetarësohet në NATO./GazetaSinjali/