image Musliu: Situata në veri është e qetë, por me mundësi të përshkallëzimit

Siguri

Musliu: Situata në veri është e qetë, por me mundësi të përshkallëzimit

news image

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, është deklaruar pas mbledhjes ku raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, raporton Gazeta Sinjali.

Musliu ka thënë se gjendja në veri të vendit është e qetë, por me mundësi të përshkallëzimit të situatës dhe se institucionet e vendit janë në krye të detyrës dhe të janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm në bazë të rrethanave të krijuara.

“Sot e kishim në raportim rreth gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës, drejtorin e Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës (AKI) Petrit Ajeti, me të cilin diskutuam gjerë e gjatë dhe u informuam për gjendjen në veri. Sa i përket gjendjes së sigurisë mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Prandaj, institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm në bazë të rrethanave të krijuara”, ka thënë Musliu.

Ajo që vlen të theksohet siç u shpreh Musliu, është gatishmëria e qytetarëve në veri të vendit për ta bashkëpunuar me organet e sigurisë së vendit.

“Sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim të institucioneve të vendit. Bashkëpunim më theksuar dhe më i madh i qytetarëve të Kosovës me institucione të sigurisë me theks të veçantë qytetarëve të veriut të Kosovës, për çka vlen për ta përshëndetur gatishmërinë e qytetarëve të veriut të Kosovës për të bashkëpunuar me organet e sigurisë dhe vendit në Kosovë”, theksoi Musliu duke apeluar qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave të mediave serbe.

“Po ashtu apel për mediet për qytetarët që t’i shmangeni sa më shumë dezinformatave të cilat dalin nga mediet armiqësore, apo mediat e informimit serbe sepse na rastisë të biem pre e lajmeve të rrejshme”.

Kryetarja e këtij komisioni po ashtu potencoi mbështetjen që i kanë ofruar drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar.

“Si Komision jemi unik në qëndrimet tona dhe i ofruam mbështetjen të plotë drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar në vend. Ne do të jemi të kujdesshëm të mos i lëndojmë proceset që janë duke u zhvilluar atje. Tani më shqetësimet i kemi të gjithë të njëjta nga tereni. Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë por duhet të jemi vigjilentë dhe të matur për të mos provokuar situatën. Deri më tani çdo gjë është nën kontroll.  Stacionet policore janë të boshatisura mirëpo policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit atje”, tha ndër të tjera, Musliu. 

/GazetaSinjali/