Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila kohëve të fundit ka qenë e pakënaqur me reformimin e kësaj partie, tani ka deklaruar haptazi se nuk po dinë të bëjnë opozitë siç duhet, raporton Sinjali.
Ajo pati kritika dhe këshilla në të njëjtën kohë ndaj kreu të PDK-së, Memli Krasniqi, pasi sipas saj, ai është rrethuar nga një grup i njerëzve që nuk po e ndihmojnë, por përkundrazi po e pengojnë në veprimtarinë dhe punën e tij.
Madje, ligjvënësja opozitare shtoi se ky është momenti i fundit që të ndryshojnë si parti, pasi për të është e papranueshme se pavarësisht “skandaleve të Qeverisë Kurti, PDK-ja del e treta në sondazhe duke e humbur pozitën e dytë”.
“Ne duhet ta bëjmë opozitën ashtu siç bëhet opozita në vendet demokratike dhe ta bëjmë opozitën siç duhet për ta ndaluar të keqen që e ka kapluar vendin. Unë jam një deputete e terrenit jo e zyrave. Sa herë që takohem me elektoratin e PDK-së, vërejtjen e kam nga ta se nuk jemi duke bërë opozitën që duhet ta bëjmë. është momenti i fundit që ta ndryshojmë karshi kësaj qeverie”.
“Me këtë momentum kur çdo ditë kemi 3 e 4 e 5 fe dhjetëra skandale të qeverisë, kur vendi ka degraduar në çdo pore të institucioneve dhe ne kalojmë nga vendi i dytë në pozitën e tretë sipas sondazheve si parti politike për mua është e papranueshme dhe për secilin anëtar të PDK-së Unë jam ithtare që debatin ta zhvilloj brenda, kam qenë e zëshme në këshillin e përgjithshëm të PDK-së, e kam thënë dhe vazhdojë ta them në Grupin Parlamentar në vazhdimësi të jem kritike dhe autokritike”, shtoi ajo.
Deputetja nga Skenderaj foli për raportet me kryetarin e partisë së saj, Memli Krasniqi, duke theksuar se edhe atij ia ka thënë edhe në takime partiake apo private se “një grup i disa personave nuk po e ndihmojnë atë”.
Sidoqoftë, ajo tha se pret nga Kransiqi që ta kap kthesën dhe PDK-ja të kthehet në pushtet, e mos të luftojë më për vendin e dytë.
“Me Memli Krasniqin kemi punuar gjumë gjatë si prijës të Rinisë Demokratike të Kosovës, ai ka qenë kryetar unë sekretare për dy mandate. Kemi punuar si kryetar i Grupit Parlamentar, kemi pasur bashkëpunim dhe e kemi edhe tani. Ai ka potencial si politikan, është një nga politikanët më të përgatitur por duhet të reflektojë dhe të dalë nga vrollgu dhe gëzhoja që është rrethuar dhe nuk po e lënë të depërtojë e të hapet”, vijoi Musliu.
“Nuk guxon Memli Krasniqi t’ia lejojë vetes aq më tepër si kryetar të PDK-së të funksionojë e të operojë me një grup njerëzish që nuk janë duke e ndihmuar, përkundrazi janë duke e penguar. Ia kam thënë edhe në Këshillin Drejtues, edhe në takime individuale dhe po ia them edhe sot. Pres që të kap kthesën, ashtu siç duhet të kthehet. PDK-ja s’duhet të luftojë për vendin e dytë por për vendin e parë se e meriton dhe është dëshmuar në zgjedhjet e fundit lokale”, vazhdoi Musliu, me anë të një interviste në ATV.
Kjo nuk është hera e parë që Musliu nuk është e kënaqur me funksionarët e PDK-së.
Ajo ditë më parë pati kritika të ashpra ndaj PDK-së lidhur me mbajtjen e Konventës Programe.
Musliu tha se ‘nuk dëshiron që të marrë pjesë në një Konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish-liderëve dhe ish-themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit’.
E për këtë çështje i kishte reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Por, Çitaku tha se ka punuar me Thaçin para se PDK-ja të bëhet parti, dhe për këtë thotë se e ka parë nga afër përpjekjen e tij për të reformuar PDK’në.
“PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër.
Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë”, tha Çitaku.
Po ashtu, Çitaku tha se rrugëtimi i PDK-së nuk do të ndalet.
“Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Sukesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë. Bashkë. 50|50”, pati shkruar ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, përmes Facebookut të saj.