Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca e javës së kaluar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet për situatën e pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu tha se ky organizim ka dështuar në të gjitha nivelet, sepse sipas saj, “tri qeveritë Kurti 1, Hoti dhe Kurti 2, që nga fillimi i pandemisë, kanë pasur qasje improvizuese dhe pa plan.”
“Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me SBASHK-un, me këshillat e prindërve dhe me mësimdhënësit, qeveria aktuale po bënë presion mbi SBASHK- un duke tentuar ta vendosë kontrollin mbi ta, e nga ana tjetër në këshillin e prindërve të Kosovës për kryetar kemi një militant partiak i cili tërë ditën rri duke bërë propagandë për VV-në në rrjete sociale, në vend që të mirret me problemet e shkaktuar nga pandemia.”, tha ajo.
Musliu shtoi se “duhet të ndalen eksperimentet me arsimin”.
“Është hera e dytë që mësimdhënësit e Kosovës po sfidohen. Herën e parë mesimdhënësit e Kosovës kanë dhënë një provim të vështirë. Ata në kohen e aparteidit serb kanë qëndruar të palëkundur dhe kanë bërë historinë. Dhe hera e dytë është tani kur kjo qeveri, po tenton t’i vëjë mesimdhënësit para provimit më të rëndë. Herën e parë ishte një kohë e vështirë por dinjiteti i tyre ishte i pacenuar kurse sot kjo kategori po sfidohet në dinjitet në një kohë që përballë kemi edhe një armik të padukshëm që quhet Covid 19. Mësimdhënësit duhet të mbështeten dhe të stimulohen duke ju ofruar kushte e duke ju mbrojtur dinjitetin”.
“Krejt çka kërkohet nga ju pushtetarë të mbërthyer në hipnozën e pushtetit është që t’i grahni punës dhe të dëshmoni që e keni meritu fitoren. Deri me tani keni dëshmuar vetëm një gjë: që fitorja juaj do të vlerësohet vetëm si një fitore aksidentale e cila shpejtë do të kujtohet dhe ju do të mbaheni në mend vetëm si një ëndërr e frikshme për qytetarët dhe elektoratin tuaj.”, përfundoi ajo. /GazetaSinjali/