Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, është deklaruar pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, në Komisionin për Mbikëqyrjen të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, përcjell Gazeta Sinjali.
Musliu ka theksuar se banorët e Deçanit nuk kanë pse brengosen sa i përket sigurisë nacionale në vend, pasi sipas saj AKI-ja ka siguruar se gjithçka në vend është në rregull.
“Sot kemi pas në njoftim drejtorin e AKI-së dhe kemi dashur që qytetarët e Kosovës ti sigurojmë për sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe kompetencave që ka AKI-ja në këtë drejtim. Drejtori njoftoi për së afërmi lidhur me këtë proces. Ne nuk mund ta quajmë as helmim, pasi nuk ka analiza të vërtetuara se çfarë vërtetë është duke ndodhur atje. Këto përfundime nxirren nga institucionet shëndetësore që të dimë a është helmim, epidemi apo ndonjë problem tjetër”, tha Musliu.
Tutje ajo theksoi se raportimi ishte i fokusuar në sigurinë nacionale.
“Mund të them me bindje të plotë se qytetarët e Deçanit s’duhet të kenë panik sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive që ka AKI. AKI është në kryerje të detyrës dhe me të gjitha kapacitet po vëzhgon çdo lëvizje atje. Kaq na tha edhe drejtori në komision, pasi s’ka as të dhëna përfundimtare janë të dhëna preliminare pas s’është ende e saktë situata për atë çfarë po ndodhë me shëndetin e qytetarëve. Në këto moment duhet theksuar se s’ka vend për panik sa i përket sigurisë naiconale. AKI po vepron në Deçan dhe është në krye të detyrës kudo. Është një lajm i mirë për ne, por edhe për qytetarët e Kosovës”, shtoi ajo./Gazeta Sinjali/