Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pasi Gjykata e dënoi me burg personin që e kanosi atë vitin e kaluar.
Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Maloku, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu.
Gjithashtu është thënë se dënimi me burgim ndaj Malokut, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.
E deputetja Musliu është shprehur e pakënaqur me këtë vendim, duke e vlerësuar si dënim shumë të ulët dhe për këtë ajo ka thënë se do të konsultohet me avokatin e saj për ta kundërshtuar këtë vendim.
Ndër të tjerash, Musliu ka akuzuar partinë në pushtet që sipas saj ushqen militantët e vet me gjuhë të urrejtjes e përçarjes, siç ka bërë me këtë rastin e fundit.
Postimi i plotë:
Sot Gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg personin që më kanosi në dhjetor të vitit të kaluar, pas një debati të ashpër që kisha me kryeministrin Kurti në seancë plenare.
Ky person që më kanosi nga Zvicra, të premten në seancë tha se “nuk voton në Kosovë prej 20 vitesh” dhe pranimin e fajësisë e bëri krejt formlisht e në mënyrë të pasinqertë. Por, në një pikë ai ishte shumë i sinqertë. Deklaroi se “kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ky është një shembull konkret se gjuha me të cilën partia – shtet i ushqen militantët e saj, është gjuhë e urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit. Dhe si e tillë jo vetëm e papranueshme por edhe e dënueshme.
Përndryshe, konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’a kundërshtuar me ankesë.