image Musliu: Askush s’po habitet më me ndryshimin e Albinit, me përralla nuk qeveriset vendi

Politikë

Musliu: Askush s’po habitet më me ndryshimin e Albinit, me përralla nuk qeveriset vendi

news image

Në seancën e jashtëzakonshme Parlamentare dedikuar rritjes së çmimeve të prodhimeve në vend, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, mbajti një fjalim ku theksoi se kryeministri Kurti është “disi i shkëputur nga realiteti”.

Deputetja Musliu tha se askush nuk habitet më me ndryshimin e Kurtit.

“Ne e kishim të qartë se ky njeri do të shkaktonte kaos menaxherial, por për fat të keq kaosi i tij ka marrë rrugën e rrezikshme për vendin dhe për të gjithë ne. Askush nuk habitet më, me ndryshimin e Albinit. As me harresën e tij dhe të atyre deklaratave të tij të famshme”, tha ajo.

Ajo që nuk mund të tolerohet më është gatishmëria e tij për të mohuar të gjitha të arriturat e deritashme, për të mohuar edhe vet historinë dhe për të rrezikuar jetën dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, theksoi Musliu.

Ajo ka theksuar se Kurti nuk kishte rezultat të bazuar në program të mirëmenduar qeverisës, por është një rezultat i pastër mbi bazën e një demagogjie të papërgjegjshme.

“Tani përballja me sfidat qeverisëse tregon qartë që barku nuk ngopet me broçkulla alla Albinçe dhe brigadave të tij recituese”, ka thënë deputetja Musliu dhe shtoi se “tani më edhe qytetarët e kanë kuptuar hipokrizinë e Albinit dhe talljen që ai çdo ditë e bën në adresë të tyre”.

“Albini dhe kabineti i tij nuk e bënë një gjë të tillë sepse një vit ju desh të recitonin rezultatin e zgjedhjeve sepse kjo e vetëkënaqte egon e tij., ne e kemi të qartë se çfarëdo që të themi në këtë debat, nuk gjejmë fjalë për ta pranguar këtë dezastër qeverisës” ka potencuar Musliu.

Ajo theksoi se opozita nuk mund të heshtë, dhe kjo opozitë pandërprerë e ka ngritur zërin kundër keqqeverisjes se Albin Kurtit.

“Është e vërtetë, ne nuk hodhëm gaz lotsjellës. Nuk u çirrem nëpër këtë Kuvend duke ofenduar dinjitetin njerëzor të askujt, por që kjo opozitë e paralajmëroi Albin Kurtin për sfidat që kalonim me pandeminë dhe më vonë për zhvillimet politike globale, këtë nuk mund ta mohon askush”, theksoi deputetja Musliu.

Po ashtu, ajo ia përmendi pyetjen që i bëri Kurtit kohë më parë.

“Kur e kam pyetu se a e din sa kushton një litër vaj një bukë, një kg sheqer, një kg krip e një litër qumësht? Çfarë bëri Albini atëherë? Ai qeshi! E për ta kënaqur egon tij, qeshi edhe kori i deputetëve të VV¬-së”, theksoi ajo dhe shtoi se “edhe kolegët e tjerë të opozitës e kanë ngritur zërin dhe kanë ofruar alternativa të ndryshme si për shtrenjtim e energjisë elektrike si për çdo gjë tjetër që po shkon keq në këtë vend”, shtoi ajo.

/GazetaSinjali/