Ilir Murtezaj, i cili deri tani ka ushtruar pozitën e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, është i befasuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për lirimin e tij nga pozita e drejtorit.
Murtezaj tha se nuk ka qenë i informuar paraprakisht për një vendim të tillë.
“Për mua është lajm befasues, për shkak se nuk kam pasur asnjë takim as me ministren e Financave, Hykmete Bajrami dhe as me kryeministrin Avdullah Hoti, për të diskutuar për këto tema”, ka thënë ai për REL.
Megjithatë, vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai e quan “shpërblim për rezultatet e arritura të ATK-së, gjatë periudhës 2019 -2020″.
“Duke u bazuar në të gjitha vlerësimet, si raportet vendore dhe ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe se fundmi Raporti i Progresit, vlerësohet lartë puna gjatë vitit 2019-2020, në kohën kur unë e kam qeverisur këtë institucion”, ka thënë mes tjerash Murtezaj.
Ndryshe, Bashkimi Evropian në raportin për Kosovën, të publikuar ditë më parë, “ka vlerësuar reformat në ATK, si reformimin e strukturës organizative, përmirësimin e proceseve për menaxhimin e mbledhjes së borxheve, si dhe trajtimin e sektorëve me rrisk të lartë”.
Më 16 tetor, Hoti ka liruar nga pozita edhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, Ibrahim Xhaka.
Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me zyrën për informim në Doganën e Kosovës, për e njëjta ka qenë e paqasshme.
Gazeta Sinjali po ashtu ka provuar që të marrë një përgjigje nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, me rekomandimet e të cilës u morën vendimet për lirimin e këtyre nga detyra, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje dhe as nuk e ka hapur telefonin.
Po të premten, kryeministri Hoti ka liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.
”Në përputhje me Ligjin për Policinë, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Samedin Mehmetin, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, është thënë po ashtu në njoftim.
Qalaj ishte emëruar në këtë pozitë më 28 gusht të vitit 2018 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para kësaj pozitëe, Qalaj ka shërbyer si Drejtor i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës./Gazeta Sinjali/