Ish-drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se në dijeni të ish-drejtorit të ATK-së dhe ish-ministrit të Financave, tanimë, kryeministër Avdullah Hotit janë bërë favore të bizneseve dhe për miliona euro të pa mbledhura. Për këtë tha se janë te njoftuara organet e drejtësisë dhe se pret fjalën e tyre të fundit.
“Kemi pasur një dyshim për rrjet kriminal në dijeni të drejtorit të atëhershëm dhe ish-ministrit të Financave, tani kryeministër, kjo sigurisht është adresuar nga ana ime me ardhjen në detyrë tek organet e drejtësisë. Është vazhduar me mostrajtim të barabartë të bizneseve. Kemi 7200 biznese për tre vite radhazi që kanë realizuar qarkullim 3,5 miliardë euro pa asnjë pagesë”, theksoi ai.
Murtezaj tha se në kohën e ish-ministrit të Financave, Avdullah Hotit është lejuar edhe nepotizmi.
“Kryeministri i vendit e dinë edhe për personat që i ka punësuar në kohën sa ishte ministër… Ka persona brenda ATK-së të cilët e kanë vendin në burg”, ka shtuar ai.
Për këtë Murtezaj thotë se është bërë pengesë për kryeministrin dhe është shkarkuar në mes të natës.
Ai përmes një konference për media theksoi se vendimin për shkarkimin e tij e ka pranuar mbrëmë pas orës 19:00.
Ai tha se objektivë e tij ka qenë llogaridhënia, përmirësimi i kualitetit të punës, reformimi i funksionit të sistemit të borxheve dhe rimbursimit, ku sipas tij në këtë periudhë ka pasur përgjysmim të rimbursimit.
“Unë nuk kam bërë kërkesë për lirim të detyrës. Nga ministrja nuk kam pasur asnjëherë ndonjë kërkesë për punën e ATK-së. Përveç kërkesave për të ushtruar presion dhe për të mbrojtur interesat e tyre, që të mbrojmë shkeljet e ligjit që janë bërë në atë kohë”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/