Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe luftës së Rusisë në Ukrainë, ministria që ai udhëheqë ka rishikuar parashikimet për rritjen ekonomike, dhe këtë vit, sipas tij, rritja reale ekonomike do të arrijë në 5.7 për qind.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 30 prill, Murati tha se lufta në Ukrainë pritet të ndikojë në perspektivën makroekonomike afatshkurtër dhe afatmesme. Ai tha se ka pasur rritje të inflacionit më shumë sesa ishte parashikuar.
“Mirëpo, si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës pritet të ketë një rritje më të moderuar në vitin 2022, andaj edhe vlerësimet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve janë rishikuar krahasuar me ato fillestare për këtë vit. Kështu, nga parashikimet presim që rritja reale e vitit 2022 të arrijë 5.7 për qind, nxitur kryesisht nga eksporti neto dhe investimet. Kurse rritja nominale përsëri do të jetë dyshifrore, megjithatë janë presionet inflacionare që ndikojnë që rritja reale kësaj radhe të jetë më e ulët”, tha Murati.
Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes të së shtunës miratoi kornizën afatmesme të shpenzimeve për periudhën 2023-2025. Murati tha se pret që gjatë kësaj periudhe të vazhdojë trendi i rritjes ekonomike, por edhe ai i të hyrave buxhetore.
Projeksionet e Bankës Qendrore në Kosovë, të publikuara më 21 mars, kanë treguar se ekonomia e Kosovës, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të pësojë ngadalësim të aktivitetit.
Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind këtë vit, nga 10.5 për qind sa ka qenë në vitin 2021.
Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë ka arritur në 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.