image Murati për LDK-në: Janë të dytët, kërkojnë më shumë sesa kur mendonin se do të dilnin të parët

Kosovë

Vlerësimi/ Murati për LDK-në: Janë të dytët, kërkojnë më shumë sesa kur mendonin se do të dilnin të parët

news image

Deputeti i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka krahasuar vullnetet e LVV-së dhe LDK-së, për formimin e qeverisë së re.

Sipas Muratit, oferta që LVV-ja ia ka bërë LDK-së është tejet gjeneroze, ashtu siç ka thënë se nuk është edhe vullneti i palës tjetër, shkruan Gazeta Sinjali.

“Oferta e Fituesit për të harmonizuar programin me partnerin qeverisës si dhe për të ndarë përgjegjësinë e qeverisjes përgjysmë, është ofertë tejet gjeneroze. Kjo në vetvete tregon për vullnetin e Fituesit që, të arrihet një marrëveshje e cila respekton partnerin dhe siguron mirëbesim në qeverisje. Për sa i përket vullnetit të palës tjetër, mjafton të shihet kronologjia e pozicionit të tyre”, ka shkruar Murati.

Ai ka shkruar se LDK-ja para zgjedhjeve mendonte se posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë, gjë që ka ndryshuar tani.

“Para zgjedhjeve, kur mendonin se do dilnin të parët, thanë se posti i Presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë, sepse kandidati do duhej të ishte konsensual. Pas zgjedhjeve, nga vendi i dytë, thonë se posti i Presidentit “u takon”, dhe nuk bën ndryshe”, ka shkruar mes tjerash Murati.

Konkluzioni i krahasimit të vullneteve të dy subjekteve, sipas Muratit është se LDK-ja tani po kërkon më shumë sesa atëherë kur mendonte se do të dilte e para.

“Thënë shkurt, tani kur JANË të dytët, kanë kërkesa më të mëdha sesa atëherë kur MENDONIN se do dilnin të parët. Ky nuk është vullnet i mirë. Vullneti i mirë duket ndryshe”, ka shkruar Murati. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/HekuranMurati/posts/10157850043915522