Krijimi i Superligës Evropiane të futbollit ka ngjallur reagime të shumta nga njohës të ndryshëm të futbollit në të gjithë botën.
Së fundi, në këtë debat është inkuadruar edhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, i cili si arsye kryesore për krijimin e kësaj gare e sheh krizën financiare që e ka përfshirë futbollin evropian dhe jo vetëm.
“Formimi i Superligës Evropiane vjen si pasojë e krizës financiare të klubeve gjatë pandemisë dhe rishikimit të buxheteve të klubeve. Kur klubet e mëdha u përballën me krizën dhe e panë se si ndahen mjetet nga Champions League, ku dihet se nga koha e Platinit, politikat zhvillimore te UEFA-së kanë mbështetur vendet e varfra për vota, ndërsa diskriminimi ka ndodhur me vendet e zhvilluara dhe klubet e mëdha. Klubet e mëdha nuk e kanë pasur problem sepse kanë pasur shumë të hyra nga reklamat, biletat dhe shitjet e ndresave dhe gjësendeve me logon e tyre”, ka shkruar Munishi në profilin e tij në Facebook.
Më tutje, Munishi ka shtuar se nëse lejohet formimi dhe funksionalizimi i kësaj gare, UEFA si institucioni më i lartë i futbollit në Evropë do ta humb fuqinë e saj
“Nëse formohet Superliga Evropiane , UEFA pëson goditje dhe e humb fuqinë e saj që e ka pasur. Nëse gjendet kompromisi mes UEFA-s dhe klubeve të mëdha , ky do të jetë shantazhi më i madh ne historinë e futbollit”, ka shkruar në fund Munishi./Gazeta Sinjali Sporti/