image Mungon prokurori pa arsye, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit që rrahu axhën e tij në Viti

Drejtësi

Mungon prokurori pa arsye, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit që rrahu axhën e tij në Viti

news image

Për shkak të mungesës së prokurorit është shtyrë në kohë të pacaktuar seanca e paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, E.Sh.

Lidhur me mungesën e prokurorit, gjykatësja Blerina Jakupi-Ramadani, tha se prokuroria është ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e gjykimit, gjykatësja Ramadani seancën e ka shtyrë për kohë të pacaktuar.

Sipas gjykatëses Ramadani, aktakuza do t’i kthehet për plotësim prokurorisë, pasi që ekspertiza mjekoligjore nuk është punuar sipas Ligjit për Mjekësinë Ligjore.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj E.Sh., i akuzuar për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Sipas aktakuzës, më 10 korrik 2019, rreth orës 19:30, në fshatin Smirë, të Vitisë, i pandehuri E.Sh., lehtë e lëndon të dëmtuarin Sh.Sh., në atë mënyrë që përderisa i dëmtuari i kishte thirrë djemtë e vëllait të vet M. dhe E. për t’u sqaruar se ky nuk ia kishte dëmtuar gomat e rimorkios të traktorit.

Në aktakuzë thuhet se përderisa po bisedonte me M. i pandehuri E., befasisht e godet të dëmtuarin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe e përplasë në tokë, me ç’rast i dëmtuari pëson lëndime të lehta trupore, i cili për shkak të lëndimeve të pësuara detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti./Gazeta Sinjali/