image Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë “katastrofë” në Evropë

Evropë

Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë “katastrofë” në Evropë

news image

Gazi natyror që rrjedh nga tubacionet e Rusisë, ngroh shtëpitë dhe objektet në pjesën më të madhe të Evropës. Thënë ndryshe, Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës me këtë lëndë. Një e treta e gazit, që arrin në kontinent, kalon përmes Ukrainës.

Tani, kur frika për pushtimin e Ukrainës nga Rusia është rritur, njësoj janë rritur edhe shqetësimet për zvogëlimin ose ndërprerjen e gazit rus në Evropë.

Shtetet e Bashkuara, por edhe vende të tjera perëndimore, e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione shkatërruese, nëse sulmon Ukrainën.

Politikëbërësit rusë kanë paralajmëruar se nëse vendi i tyre shkëputet nga sistemi ndërkombëtar i bankave, ashtu siç është paralajmëruar, atëherë gazi rus nuk do të rrjedhë.

“Nëse Rusia shkëputet nga SWIFT, atëherë ne nuk do të kemi para në qarkullim. Dhe blerësit tanë, e para së gjithash vendet evropiane, nuk do t’i marrin mallrat tona: naftën, gazin, metalet dhe përbërësit e tjerë të rëndësishëm të importeve të tyre”, ka thënë nënkryetari i Këshillit të Federatës ruse, Nikolay Zhuravlev, për agjencinë e lajmeve Tass.

Këto paralajmërime kanë bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të kërkojnë furnizime alternative.

Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar në fund të muajit të kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë se “SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar së bashku për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm të BE-së me gaz natyror, nga burime të ndryshme anembanë globit”.

Von der Leyen ka diskutuar për blerje të gazit edhe me emirin e Katarit. Komisionarja e BE-së për Energjinë, Kadri Simson, është fokusuar në bisedime me Azerbajxhanin, ndërsa më 7 shkurt është mbledhur edhe Këshilli i Energjisë SHBA-BE, për të diskutuar alternativat.

Disa analistë thonë se me gjithë përpjekjet, gazi rus do të jetë vështirë i zëvendësueshëm, së paku edhe për 10-15 vjet. Nikos Tsafos, ekspert për sigurinë energjetike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Gazi rus është kritik për Evropën. Ai mbulon rreth 40 deri në 45 për qind të importeve të Evropës. Për disa vende është më i rëndësishëm se për të tjerat. Realiteti është se, tani për tani dhe për të ardhmen e afërt, Evropa nuk mund të funksionojë pa gazin rus”.

Çfarë po bën Evropa për ta zgjidhur krizën me gaz?

Ngjashëm mendon edhe Nikos Tsafos, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Sipas tij, Evropa duhet të mendojë në afat të gjatë dhe varësia nga Rusia zvogëlohet duke përdorur më pak gaz.

“Mbrojtja më e mirë e Evropës është reformimi dhe riorganizimi i sistemit të saj energjetik drejt një energjie me emetime më të vogla të karbonit. Nuk duhet të kemi iluzione se kjo do të jetë e lehtë ose do t’i zgjidhë të gjitha problemet. Çështja është se këto probleme me të cilat përballet Evropa, lidhen direkt me sistemin e hidrokarbureve që Evropa ka. Nëse kalohet në burime të pastra të energjisë, disa nga këto probleme do të bëhen më pak të dukshme”, thotë Tsafos.

Sipas të dhënave të fundit të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, varësia e BE-së nga gazi natyror ka qenë 83.5% në vitin 2020. Më 2019-ën ka qenë 89.5%.

Çmimet e energjisë elektrike në botë janë rritur qysh vitin e kaluar dhe dy bashkëbiseduesit e mi thonë se ato do të rriten edhe më, nëse Evropa detyrohet të gjejë alternativa për furnizimin me gaz.

Gazi natyror mund të ruhet, por rezervat janë tashmë më të vogla se zakonisht, sepse Rusia thuhet se i ka zvogëluar eksportet në Evropë në fund të vitit të kaluar. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji, Fatih Birol, ka thënë muajin e kaluar se kompania ruse e gazit, Gazprom, i ka ulur eksportet në Evropë për 25% në tremujorin e fundit të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Gazprom, në anën tjetër, ka thënë se po i respekton kontratat.

/GazetaSinjali/