image Muja publikoi emrat e kriminelëve që duhen arrestuar, Petkoviq: Dëshmi se ka lista për persekutimin e serbëve

Politikë

Muja publikoi emrat e kriminelëve që duhen arrestuar, Petkoviq: Dëshmi se ka lista për persekutimin e serbëve

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja përmes një postimi të bërë në Facebook ka kërkuar që bandat kriminale të cilat operojnë në veri të Kosovës Severna Brigada dhe Civilna Zastita duhet të shpallen organizata terroriste. Ai ka publikuar një listë me emrat e “organizatave kriminale serbe dhe drejtuesve të tyre”, duke kërkuar arrestimin e tyre.

Në listën e kriminelëve serbë që po veprojnë në veri të Kosovës, të publikuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, janë përmendur edhe djali dhe vëllai i presidentit serb Vuçiq.

Muja emrin e djalit të Vuçiqit e renditi tek “organizatat e djathta ekstremiste të lidhura me Rusinë, SPC dhe SANA, Patrulla Popullore, (Damjan Knezheviq, Danilo Vuçiq – djali i Presidentit të Serbisë dhe Aleksandar Filipoviq)”.

“Brigada Veriore e formuar nga Andrija Vuçiq (vëllai i presidentit Aleksandar Vuçiq), Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Radula Steviq”, ka shkruar Muja.

Për këtë ka reaguar menjëherë Petar Petkoviq, i cili ka pretenduar se “lista e fundit e arrestimeve e publikuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja”, sipas tij, “me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është një vizatim i tmerrshëm i shënjestrës në ballë të vëllait dhe djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”,

Petkoviq ka thënë se “kjo është vetëm një tjetër dëshmi se listat për persekutimin e serbëve ekzistojnë”.

“Kurti vetëm edhe djalin e mitur të presidentit Vuçiq, Vukan nuk e ka shpallur kriminel dhe nuk e ka futur në listën e tij për ta vrarë. Kjo është edhe një dëshmi se ka lista për persekutimin e serbëve që bëhen në Prishtinë. Është e qartë se Kurti di vetëm për arrestime dhe vrasje të serbëve si metoda të veprimit të tyre”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai, duke u përpjekur të tregohet sa më servil ndaj shefit të tij, ka shtuar se “ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e familjes Vuçiq” sepse, sipas tij, “lista të tilla i shënjestrojnë drejtpërdrejt ata”.

“A janë këta në të vërtetë viktimat për të cilat foli Kurti një ditë më parë dhe a do të reagojë dikush nga bashkësia ndërkombëtare, megjithëse nuk do të reagojë”, ka thënë Petkoviq.

Ai thotë se Beogradi gjatë gjithë kohës ka paralajmëruar për ekzistencën e “listave të Kurtit të “serbëve të papërshtatshëm”, edhe pse disa nga zyrtarët e tij përpiqen ta mohojnë”.

“Të mos luajnë me kokat serbe, sepse për secilin do të jetë drejtpërdrejt përgjegjës Kurti!”, edhe një herë tha Petkoviq.

/GazetaSinjali/