Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit Parlamentar Hetimor për periudhën 2006-2022 për Energjinë, Armend Muja e ka pyetur ish-ministrin e Energjisë, Et’hem Çeku lidhur me Florin Krasniqin, një afarist shqiptar në ShBA dhe ish deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në rolin e hetuesit, Muja e ka pyetur Çekun nëse gjatë kohës sa ka shërbyer si ministër i Energjisë është takuar ndonjëherë me Kransiqin.
“A e njihni Florin Krasniqin?”, e pyeti Muja, Çekun.
“Florim Krasniqin e njoh të fakultetit… dhe, Florin Kransiqin e Vetëvendosjes, po e njoh edhe atë. Jo gjatë asaj kohe sa kam qenë ministër nuk e kam njohur”, u përgjigj ish-ministri.
“A e keni takuar personalisht atë gjatë asaj kohe [sa keni qenë ministër]?”, insistoi Muja.
Çeku tha se ndoshta mund ta ketë takuar Florin Kransiqin, por se nuk i kujtohet ta ketë realizuar një takim të tillë.
“Mund të jetë që e kam parë, mund të jetë që e kam takuar, por mua nuk më kujtohet sot a e kam takuar para 16 vitesh Florin Krasniqin. Në luftë e di se ka qenë edhe ka bërë punë të mirë”, tha ish-ministri i Energjisë. “Nuk e di a jam takuar, nuk e di”.
Komisioni që heton çështjen e lidhura me energjinë gjatë periudhës 2006-2022, ka intervistuar sot tre ish-ministra të Qeverisë së Kosovës. Pëveç Ethem Çekut, janë intervistuar edhe ish-ministrat Haki Shatri dhe Bujar Dugolli.