Tre kandidatë do të garojnë për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu ka paralajmëruar të mërkurën anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri. Ai ka theksuar se zyrtarizimi i kandidaturave bëhet vetëm në Kuvendin e partisë.
Muhaxheri ka bërë të ditur se në parti aktualisht po diskutohet rreth gjetjes së një kandidati konsensual, por ka vlerësuar se për kreun e LDK-së duhet të zhvillohet garë e fshehtë me më shumë se dy kandidatë.
Ai ka thënë se udhëheqësi i LDK-së për vitet e ardhshme duhet të zgjidhet me votim të fshehtë dhe jo me aklamacion.
Muhaxheri, i cili aktualisht udhëheq Komunën e Pejës, nuk ka pranuar të thotë nëse do të jetë njëri prej tre kandidatëve.
Ndërkohë, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbajë mbledhje nën kryesimin e kreut të saj, Isa Mustafa
Në një njoftim për media nga zyra për informim e LDK-së, behet e ditur se ky takim do të fillojë në orën 13:30.
LDK-ja të shtunën, më 3 gusht do të mbajë kuvendin zgjedhor, ku pritet të zgjedhet kryetari i partisë.
Deri më tani asnjë anëtar i LDK-së nuk e ka shpallur kandidaturën për të parin e partisë. Lidhja Demokratike e Kosovës nisi zgjedhjet e brendshme me 20 mars të këtij viti./Sinjali/