Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se deri në përfundim të hetimeve e ka larguar nga puna zyrtarin e saj, Fidan Kadriu, raporton Gazeta Sinjali.
Ai dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare gjatë shpërndarjes së licencave të disa kompanive private, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të derivateve të naftës.
“Përveç procedimit të lëndës në organet e lartpërmendura, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit. MTI kërkon nga organet kompetente që ta hetojnë dhe ta ndriçojnë rastin sa më shpejt.”, thuhet mes tjerash në reagimin e MTI-së.
Reagimi i plotë i MTI-së:
MTI sqaron masat e ndërmarra për rastin e mundësisë së keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë procesit të shpërndarjes së licencave
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) sqaron për opinionin publik dhe media se ka ndërmarrë të gjitha masat ndaj zyrtarit të MTI-së, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të shpërndarjes së licencave të disa kompanive private, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të derivateve të naftës.
MTI rastin e ka proceduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit.
Përveç procedimit të lëndës në organet e lartpërmendura, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit./Gazeta Sinjali/