image MSH paralajmëroi përhapje të shpejtë, çfarë duhet të dini për variantin Delta Plus

Shëndetësi

MSH paralajmëroi përhapje të shpejtë, çfarë duhet të dini për variantin Delta Plus

news image

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë dje bëri të ditur se janë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të koronavirusit, pas testimit të 59 mostrave, në një laborator në Gjermani. Sipas ministrisë, 47 mostra tjera janë identifikuar me variantin Delta.

MSH njoftoi dje se ndonëse varianti Delta vazhdon të jetë dominues në Kosovë, “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”.

“Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta Plus”, është thënë në njoftim.

Por çka duhet të dimë për variantin Delta Plus?

Ky variant është identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator. Për shkak se nuk është variant që përbën interesim apo shqetësim ende, ai nuk është emërtuar zyrtarisht sipas një shkronje të alfabetit grek, sikur variantet e tjera.

Shkencëtarët po e monitorojnë variantin e lidhur me Deltan – që njihet si AY.4.2 – për të parë nëse ai mund të përhapet më lehtësisht apo mund të jetë më vdekjeprurës sesa versionet e mëparshme të COVID-19, ka raportuar në tetor agjencia Associated Press.

Në një raport të publikuar së fundmi, zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se ky variant qëndron prapa 6 për qind të të gjitha rasteve të analizuara me COVID-19 atje, dhe se ai është “në një trajektore në ngritje”.

Delta Plus i ka dy mutacione në proteinën gjembore, që i ndihmojnë koronavirusit të pushtojë qelizat e trupit. Këto ndryshime janë parë gjithashtu edhe në versionet e tjera të virusit, prej kur ka filluar pandemia, por nuk kanë shkuar larg, ka thënë Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës në “University College London”.

Varianti Delta mbetet “deri më tani varianti më dominues në aspekt të qarkullimit global”, ka thënë Maria Van Kerkohve, udhëheqëse teknike për COVID-19 në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Agjencia për shëndetësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara aktualisht po i përcjell 20 variacione të variantit Delta. Varianti AY.4.2 është “një (variant) për t’u vëzhguar, sepse ne duhet të përcjellim vazhdimisht ndryshimet e këtij virusi”, ka thënë Van Kerkhove.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, varianti Delta qëndron prapa pothuajse të gjitha rasteve me COVID-19. Varianti më i ri, Delta Plus, është vërejtur “me raste”, por ende nuk përbën arsye për shqetësim, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë.

Paqartësitë rreth variantit Delta

Shkencëtarët po punojnë që të mësojnë më shumë rreth variantit Delta, që thuhet se është dy herë më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit. Megjithatë, ende ka shumë paqartësi nëse Delta shkakton sëmundje më të rëndë se variantet paraprake. Sipas studimeve të kryera në Skoci dhe Kanada, të cilat i kanë cituar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara, Delta mund të rezultojë në hospitalizimin e personave të pavaksinuar, shkruan Yale Medicine.

Ndërkaq, në një raport të publikuar nga The Lancent, thuhet se personat në Angli, të infektuar me variantin Delta, kishin dyfish më shumë gjasa që të hospitalizoheshin sesa ata të infektuar me variantin Alfa (varianti fillestar i COVID-19).

Si rrezikohen të pavaksinuarit nga varianti Delta?

Delta po ashtu shkakton simptoma të ndryshme nga variantet paraprake. Simptomat më dalluese të personave të prekur me variantin Delta janë kokëdhimbja, dhimbja e fytit, shkuarja e hundëve dhe temperatura.

Profesionistët shëndetësorë rekomandojnë që me qëllim që njerëzit të mbrohen nga Delta, duhet të vaksinohen plotësisht.

Vaksinat që përdoren në SHBA (Pfizer dhe Moderna) kanë shfaqur mbrojtje të fortë ndaj Deltas, veçanërisht kundër sëmundjes së rëndë, hospitalizimit dhe vdekjes, ka thënë CDC-ja.

/GazetaSinjali/