Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka asnjë njoftim në ministri dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se disa shtete kanë tërhequr njohjen.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.
“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Në reagim më tej thuhet se Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë.
Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës.
“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia, ne jemi duke pritur për të dhjetin” – citohet të ketë thënë Vuçiq.