Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq dhe liderëve të tjerë nga Serbia, të cilat po e mohojnë masakrën e Reçakut.
Nga kjo ministri, Presidentin e Serbisë dhe ministrin e Jashtëm serb i quajnë ish-bashkëpunëtorë të Sllobodan Millosheviqit, dhe thonë se deklaratat e tyre nuk përbëjnë asgjë politike e diplomatike, por sipas tyre janë thjeshtë qasje fashiste e një shteti fqinj që nuk ka ndryshuar as pas 20 vjetësh.
“Në luftën e Kosovës (1997-1999), forcat ushtarako policore serbe kanë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, prej tyre 1133 fëmijë; kanë dhunuar rreth 20 mijë femra; kanë varrosur nëpër varreza masive në Serbi rreth 6000 trupa (disa qindra i kanë djegur në furra të shkrirjes së metaleve), me synim për të shlyer gjurmët e krimit; kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi, kanë deportuar rreth një milion qytetarë dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur, para, ari dhe deri te traktorët dhe bagëtitë e bujqve shqiptarë. Për luftërat në ish-Jugosllavi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Krime Lufte ka dënuar Serbinë për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa dhjetëra drejtues të saj, politikë, ushtarakë, policorë dhe paramilitarë, janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë kryer në Kroaci dhe Kosovë. Lideri i këtyre kriminelëve, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krimet e kryera në Kosovë dhe njësitë tjera të federatës ish-jugosllave”, thuhet në reagim.
MPJ ka ftuar institucionet ndërkombëtare të ushtrojnë presion ndaj liderëve serbë, në mënyrë që këta të fundit të ndalojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton institucionet relevante të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos botën demokratike – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ushtrojnë presion ndaj liderëve institucionalë të Serbisë për ndaljen e gjuhës së urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të dëshmuara edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse gjuha aktuale e tyre pamundëson ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, dhe si rrjedhojë rrezikon edhe paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kujtojmë se për deklarata të tilla rreth masakrës së Reçakut, dje Gjykata Themelore në Prishitnë ka dënuar me dy vjet burg, Ivan Teodosijeviqin, ish-ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qevrinë e Kosovës. /Gazeta Sinjali/