Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ka folur për Gazetën Sinjali pas raportimeve të mediave ndërkombëtare se Gana ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë bisedës ai tha se nuk kanë marrë asnjë komunikim për çnjohjen nga ky shtet.
Edhe përkundër deklarimeve të zëvendësministrit të Jashtëm të Ganës, Charles Owiredu, për agjencinë franceze të lajmeve ‘AFP’, se Gana e ka tërhequr njohjen “e nxituar” të pavarësisë së Kosovës, Zyberaj thekson se MPJ e Kosovës nuk i komenton dokumentet e shpallura nga Beogradi për çnjohje.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me Republikën e Ganës. Kosova nuk bën komente për dokumentet që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë”, tha për Gazetën Sinjali, Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli.
Për këtë çështje ai shtoi se nuk kanë pranuar ndonjë informatë nga Gana.
“Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim nga Gana dhe të dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, përfundoi ai.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, vazhdimisht bën propagandë kundër Kosovës dhe thekson se punon për ‘heqjen e njohjeve’ të pavarësisë së Kosovës.
Kujtojmë se gjatë punës si ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli arriti t’ia sigurojë Kosovës vetëm dy njohje./Gazeta Sinjali/