Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka marrë vendim që të ulë 80 për qind qarkullimin financiar, i cili është kusht për maturantët nga rajoni të cilët dëshirojnë të studiojnë në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Bazuar në këtë vendim, nga sot maturantët nga Lugina e Preshevës, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi do të duhet të dëshmojnë se kanë 500 euro në qarkullim nga 2 mijë e 500 sa ka qenë deri tash.
“Deri tani në vendin tonë të gjithë nxënësit e mësimit parauniversitar edhe studentët që kanë ardhur nga vendet përreth kanë qenë të detyruar të dëshmojnë qarkullim financiar prej 2500 eurosh. Kjo gjë ka paraqitur shumë telashe për studentët, sidomos ata shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Mali i Zi. Si ministër i MPB-së sot kam marrë vendim që këtë shumë ta zvogëloj në mënyrë drastike në vlerë prej 500 eurosh”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
I pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka premtuar se do të përpiqet t’ua lehtësojë jetën qytetarëve e bashkëkombësve, veçanërisht jetën studentore./Gazeta Sinjali/