image MPB s'po arrin ta zgjedh Drejtorin e Policisë

Siguri

MPB s’po arrin ta zgjedh Drejtorin e Policisë

news image

Po bëhen rreth tre muaj që Policia e Kosovës po udhëhiqet me ushtrues të detyrës së drejtorit, si shkak i dorëheqjes me 30 gusht të Samedin Mehmetit, raporton Gazeta Sinjali.

Edhe përkundër kësaj kohe ende nuk është arritur të zgjidhet drejtori i ri dhe për këtë vonesë ka pyetur ministrin e Brendshëm edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, por pa marr p֝ërgjigje.

Derisa Ministria e Punëve të Brendshme me 7 shtator 2022 kishte shpallur konkursin për Drejtor të përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ku kishin konkurruar 5 kandidatë.

Konkursi ishte mbyllur me 21 shtator të këtij viti, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar për kandidatët të cilët po synojnë  postin e të parit të Policisë e ata janë: Bahri Shala, Gazmend Hoxha, Fatos Haziri, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.

Edhe pse janë bërë rreth dy muaj nga përfundimi i konkursit, akoma nuk është formuar Komisioni për Intervistim të kandidatëve për drejtor të Policisë.

Nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar për Gazetën Sinjali, se konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është mbyllur më 21 shtator të këtij viti.

Sipas tyre në këtë konkurs kanë aplikuar 5 kandidatë.

“Momentalisht procesi është në fazën e themelimit të komisionit i cili do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi”, theksojnë nga Zyra për Media e MPB-së për Gazetën Sinjali.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, para deputetëve tha se me ushtrues të detyrës nuk ka ngecje brenda Policisë së Kosovës dhe të gjithë zyrtarët janë duke ushtruar detyrën me përkushtim e disiplinë duke zbatuar misionin e tyre.

“Pozita e drejtorit është ndër funksionet më të rëndësishme të shtetit dhe faza e dorëzimit të aplikacioneve është mbyll dhe tani jemi në proces të themelimit të Komisionit që do të vijojnë fazat tjera të procesit”, tha Sveçla.

Më tej ministri i Brendshëm theksoi se sapo të themelohet komisioni me anëtarët që i plotësojnë  kriteret do të vijojmë me procedurat tjera deri në finalizim.

“Besoj se Komisionit me profesionalizëm bashkë me  monitorët vendës e ndërkombëtar do t’ia dalin mbarë këtij procesi të rëndësishëm”, tha ministrit Sveçla.

Por ministri nuk ka treguar ndonjë afat se kur do të emërohet drejtori i Policisë.

/GazetaSinjali/