image MPB: Për 6 muaj janë shkatërruar rreth 26 grupe kriminale në Kosovë

Siguri

MPB: Për 6 muaj janë shkatërruar rreth 26 grupe kriminale në Kosovë

news image

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se Policia e Kosovës brenda 6 muajve ka shkatërruar rreth 26 grupe kriminale, në të cilat kanë qenë të përfshirë mbi 200 persona.

Shefja e kabinetit të ministrit të MPB-së, Jeta Tela, tha se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet prioritet.

Tela e cila ishte prezente në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL në mungesë të ministrit Xhelal Sveçla, tha se brenda 6 muajve kanë arritur të kryejnë shumë punë.

“Për 6 muaj, unë mendoj që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe. Nga statistikat e fundit që i kemi marrë nga Policia e Kosovës, është arritur që brenda periudhës 6 mujore me u shkatërrua diku 26 grupe kriminale, dhe kanë qenë të përfshirë rreth 217 persona”, tha ajo.

Ajo shtoi se “Këtu kemi të bëjmë edhe me shqiptarë, serbë, shtetas të Shqipërisë, të Maqedonisë, e pjesa më e madhe janë qytetarë të Republikës të Kosovës. Janë 10 grupe të krimit të organizuar, të cilat janë luftuar vetëm gjatë periudhës 6 mujore, kemi 8 grupe për droga, 6 për krime ekonomike, për të cilat kanë ndodhur arrestime gjatë këtij 6 mujori dhe ka edhe grupe tjera, përfshirë edhe trafikimin e qenieve njerëzore”.

Duke folur për mungesën e materialit për letërnjoftim, shefja e kabinetit të ministrit Sveçla tha se kanë hasur në tenderë që nuk i kanë plotësuar kushtet për miratim, e si rrjedhojë theksoi se i kanë anuluar./GazetaSinjali/