Sipas analizave më të fundit të modeleve globale numerike për parashikim të motit kjo javë në rajonin tonë pritet të jetë mjaft e nxehtë, tipike verore, veçanërisht mesjava (e enjte) ku temperaturat maksimale pritet të kulmojnë duke arritur deri në 38 gradë Celsius në Kosovë, kurse në Shqipëri dhe Maqedoni temperatura maksimale mund ta “prekë” shifrën e 40 gradëve Celsius.
Rajonet mesdhetare dhe bregdetare gjatë tërë javës do të kenë mot mjaft të nxehtë, me diell dhe stabil.
Sot na pret mot me alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell, me mundësi edhe për ndonjë rigë afatshkurtër shiu.
Nga e marta në tërë rajonin pritet të ketë mot kryesisht me diell dhe mjaft të nxehtë me vranësira të pakta kalimtare. Kjo vjen si pasojë e fuqizimit të masave ajrore të thata anticiklonike dhe masave të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore.
Sistemet frontale do të jenë larg rajonit këtë javë, megjithatë nga e premta do ti afrohen viseve tona kontinentale, kështu që nga dita e premte kryesisht në Kosovë mund të kemi ulje të lehta të temperaturave dhe mundësi edhe për zhvillime të vranësirave të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Kjo freski eventuale më pak do të ndjehet në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.
Të shtunën dhe të dielën na pret mot i nxehtë dhe me zhvillime të rralla vranësirash të cilat mund të kushtëzojnë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht në disa vise kodrinore-malore. /Gazeta Sinjali